38-vjeçari nga Ohri dyshohet për mashtrime me aksidente të rreme, u ka marrë qytetarëve rreth 58 mijë euro
Një 38-vjeçar nga Ohri ka përfunduar në paraburgim nën dyshimin se ka kryer disa mashtrime duke inskenuar aksidente të rreme trafiku, me ç’rast ka dëmtuar financiarisht disa qytetarë.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se më 4 shkurt 2026, policia nga SPB Shtip, në koordinim me Policinë Kriminalistike, ka zbardhur gjithsej nëntë vepra penale “mashtrim”, prej të cilave gjashtë janë kryer në Shtip dhe tre në Vinicë.
“Personi P.S. (38) nga Ohri është privuar nga liria dhe gjatë bisedës zyrtare ka sqaruar mënyrën dhe kohën e kryerjes së mashtrimeve me aksidente të rreme trafiku”, njoftojnë nga MPB.
Sipas përllogaritjeve të policisë, qytetarët e dëmtuar kanë pësuar humbje financiare në vlerë prej rreth 3.600.000 denarësh, apo afërsisht 58 mijë euro.
Kundër të dyshuarit është ngritur kallëzim penal me procedurë urgjente në Prokurorinë Themelore Publike në Shtip, ndërsa gjyqtari i procedurës paraprake i ka caktuar masën e paraburgimit.VOXAL