28 mjekë të rinj marrin vendime pune në Tetovë! Dhënia e vendimeve për 155 infermierët në fazë përfundimtare
28 specializantë morën vendime pune në Spitalin e Tetovës. Ua ndanë ministri i shëndetësisë Azir Aliu dhe drejtori i spitalit Shkëlzen Elezi. Ministri tha se kjo është faza e parë e dhënies së vendimeve.
“Unë uroj që këto mjekë të rinj do të japin maksimumin që të ngrihen dhe të bëjmë të mburremi edhe ne si shoqëri. Ne këtu nuk do të ndalemi do të vazhdojmë edhe me pjesën e dytë të konkursit, sepse me standardet evropiane mjek ende na nevojiten”, tha Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
“Më shumë mungesë në spitalin klinik të Tetovës kemi mungesë në repartin e infektives, repartin e hematologjisë, në repartin e rëntgenologjisë dhe besoj se edhe më këtë konkurs tjetër edhe këto vende do mbushen”, u shpreh drejtori i Spitalit të Tetovës, Shkëlzen Elezi.
I pyetur se ku është procedura për punësimin apo dhënien vendimeve për 155 infermierët, drejtori Elezi tha se procedura u ndërpre për shkak të zgjedhjeve, por premtoi se shumë shpejtë do të jepen vendimet edhe për to.