24 gra nga Pollogu kanë ikur në strehimore nga dhuna familjare
Komuna e Tetovës u bë nikoqire e një debati të hapur me fokus luftimin e dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore.
Aktiviteti u organizua nga Qendra për të Drejtat e Gruas “Etika” nga Gostivari, në bashkëpunim me UNFPA dhe me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.
Gjatë takimit u theksua se qendra “Etika” mbetet e vetmja pikë strehimi për viktimat në gjithë Rajonin e Pollogut. Sipas të dhënave të prezantuara, vetëm gjatë vitit të kaluar, 24 viktima nga Tetova kanë kërkuar dhe kanë gjetur strehim në këtë qendër, një shifër që u vlerësua si alarmante nga organizatorët, ndërsa poashtu edhe shifrat e atyre grave që frikësohen të ikin nga cikli i dhunës është i lartë.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe synimi për “tolerancë zero” ndaj dhunës, si pjesë e bashkëpunimit mes komunës dhe organizatave mbështetëse.
Në debat morën pjesë profesionistë nga fusha të ndryshme, përfshirë ekspertë nga Qendra për Punë Sociale Tetovë, psikoterapistë nga OJQ “Korteks”, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe anëtarë të Këshillit Social të Komunës së Tetovës.
Nga Komuna e Tetovës u theksua se mbështetja për gratë dhe fëmijët që përballen me dhunë do të vazhdojë, ndërsa u bë thirrje që rastet të denoncohen dhe viktimat të kërkojnë ndihmë.
Ky aktivitet synon të rrisë ndërgjegjësimin publik dhe të theksojë se luftimi i dhunës në familje është përgjegjësi e përbashkët e gjithë shoqërisë.