Danilovski: Zbulimet e reja përforcojnë konstatimin se epidemia e Gostivarit është e lidhur me ndotjen e ujit
Të dhënat e reja të paraqitura nga Prokuroria e forcojnë ndjeshëm përfundimin dhe vlerësimin se epidemia në Gostivar është e lidhur me kontaminimin mikrobiologjik të sistemit të furnizimit me ujë, ndërsa tregojnë edhe një mekanizëm konkret të mundshëm përmes të cilit uji i ndotur ka hyrë në sistemin e ujit të pijshëm – analizon në një postim në Facebook epidemiologu dhe profesori Dragan Danilovski, transmeton Portalb.mk.
Analiza vjen pas publikimit mbrëmë nga Prokuroria Themelore Publike në Gostivar të rezultateve nga analizat e mostrave të ujit nga ujësjellësi i qytetit, ku është konstatuar se ai nuk mund të përdoret për asnjë qëllim.
“Përveç faktit se kemi një lidhje kohore dhe hapësinore mes sëmundjeve dhe furnizimit me ujë, kemi edhe një mekanizëm të mundshëm sanitaro-teknik të kontaminimit – bartjen e ujit sipërfaqësor nga një kanal i hapur në sistemin e mbyllur të ujit të pijshëm. Në përfundimin epidemiologjik shkak-pasojë, përcaktimi i një mekanizmi të besueshëm ka një rëndësi të madhe. Ai e lidh ekspozimin me pasojat shëndetësore të shfaqura dhe e bën hipotezën për origjinën nga uji edhe më bindëse”, shkruan Danilovski në analizën e tij.
Epidemiologu shton se gjetja e publikuar nga Prokuroria për praninë e baktereve koliforme në ujë është tregues i drejtpërdrejtë i papërshtatshmërisë sanitare dhe i mundësisë së kontaminimit, por, sipas tij, kjo në vetvete nuk e identifikon mikroorganizmin konkret patogjen që ka shkaktuar sëmundjet te njerëzit.
Edhe pse faktet e reja e forcojnë pa dyshim hipotezën për lidhjen shkakësore, Danilovski vlerëson se ato nuk e zëvendësojnë hetimin e plotë epidemiologjik dhe mikrobiologjik, si dhe përcaktimin e plotë të shkakut të epidemisë dhe mënyrës se si ajo ka ndodhur. Për këtë, sipas tij, nevojiten të dhëna nga analizat mikrobiologjike të personave të sëmurë, mostra nga pika të ndryshme të rrjetit të ujësjellësit, dinamika kohore e kontaminimit, kurba epidemike, shpërndarja gjeografike e rasteve dhe prania eventuale e më shumë shkaktarëve.
“Pas përfundimit të fazës akute, nevojitet një analizë gjithëpërfshirëse profesionale e gjithë ngjarjes. Ajo nuk duhet të kufizohet vetëm në përcaktimin e mekanizmit teknik të drejtpërdrejtë. Duhet të përfshijë: menaxhimin e sistemit të furnizimit me ujë, mbikëqyrjen sanitare, komunikimin ndërmjet institucioneve, zbulimin e hershëm të epidemisë, kohën e marrjes së vendimeve, informimin e popullatës, sigurimin e furnizimit alternativ me ujë, veprimet e sistemit shëndetësor, si dhe dobësitë normative dhe organizative. Një analizë e tillë nuk duhet të jetë një justifikim administrativ i veprimeve. Qëllimi i saj duhet të jetë nxjerrja e mësimeve: çfarë nuk ka funksionuar, pse nuk ka funksionuar dhe çfarë duhet të ndryshohet”, shton ai.
Epidemiologu i referohet edhe çështjes së përgjegjësisë për rastin, duke theksuar se nëse ajo kufizohet vetëm te tre persona, ekziston rreziku që të humbet mësimi më i gjerë institucional. Edhe nëse përcaktohet përgjegjësia individuale, sipas tij, mbeten ende çështjet që lidhen me përgjegjësinë institucionale.
Kujtojmë se Prokuroria Publike mbrëmë rreth orës 22 doli me informacione për situatën me epideminë e ndotjes së ujit në Gostivar. Nga aty njoftuan se kanë filluar hetimet kundër tre zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Komunale ‘Komunalec’ të cilët tani më janë të arrestuar. Ndërkaq, rezultatet e analizave tregojnë se në ujë ka 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.