17 mijë pushime mjekësore në administratë, FSH dyshon për keqpërdorime
Fondi për Sigurim Shëndetësor i Maqedonisë së Veriut paralajmëron ndryshime ligjore për të forcuar kontrollin ndaj pushimeve mjekësore, duke theksuar nevojën që ato të jepen vetëm për pacientët që realisht kanë nevojë.
Drejtori i Fondit, Sasho Klekovski, tha sot se sistemi aktual po përballet me abuzime të shumta dhe se raportet tregojnë një numër shqetësues të pushimeve mjekësore që nuk janë gjithmonë të justifikuara.
Sipas të dhënave të fundit, mbi 17 mijë pushime mjekësore janë dhënë për arsye sëmundjeje dhe rreth 10 mijë për lehoni. Klekovski nënvizoi se një pjesë e madhe e këtyre pushimeve janë të lidhura me institucionet publike, ku punonjësit, shpeshherë pa bazë të fortë mjekësore, qëndrojnë jashtë punës.
“Gjysma e pushimeve mjekësore lidhen me probleme në shtyllën kurrizore. Por nëse i bëni skanim shtyllës kurrizore të çdo personi mbi 50 vjeç, pothuajse gjithmonë del diçka – qoftë lumbago apo spondilozë. Pyetja se kush duhet të shkojë në punë bëhet tepër subjektive,” theksoi Klekovski.
Ai shtoi se më së shumti pushime mjekësore regjistrohen në sektorë si policia, doganat, mbrojtja dhe klinikat shëndetësore – gjë që sipas tij e rëndon sistemin dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme ligjore.