11 të arrestuar për blerje votash dhe shkelje të tjera zgjedhore
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se gjatë ditës së zgjedhjeve janë arrestuar 11 persona, të dyshuar për përfshirje në shit-blerje të votave dhe parregullsi të tjera zgjedhore.
Në një konferencë për media pas përfundimit të procesit të votimit, Toshkovski tha se dita zgjedhore ka kaluar qetë dhe pa incidente serioze.
“Me krenari mund të them se zgjedhjet e sotme ishin më të qetat dhe më demokratiket deri më tani. Sot dëshmuam se kur institucionet funksionojnë, demokracia është në rritje,” – deklaroi ministri.
Sipas tij, në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut janë raportuar 91 raste, kryesisht për blerje apo fotografim të votës, si dhe për shkelje të tjera të ligjit zgjedhor.
“Nga të arrestuarit, katër janë liruar, ndërsa shtatë të tjerë janë ende në procedurë hetimore,” – shtoi Toshkovski.
Ai theksoi se Ministria e Brendshme do të vazhdojë të monitorojë situatën deri në përfundimin e procesit të numërimit të votave./VOXAL/