10 miliardë euro në vit për një Evropë më të fortë – BEI miraton strategjinë e re globale
Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) ka miratuar orientimet e reja strategjike për BEI Globale, krahun e saj të partneriteteve ndërkombëtare dhe zhvillimit, me synimin për të përforcuar rolin e Evropës në një peizazh gjeopolitik në ndryshim dhe për t’iu përgjigjur më mirë sfidave globale, informon PressOnline.al
Sipas planit të ri, BEI do të përqendrohet në mbështetjen e projekteve me ndikim të lartë në më shumë se 130 vende anembanë botës, duke i përshtatur investimet me nevojat lokale dhe prioritetet strategjike të Bashkimit Evropian.
Vendet kandidate për anëtarësim në BE do të kenë qasje të plotë në instrumentet e BEI-së, përfshirë produktet e investimeve të përshtatura, mekanizmat e ndarjes së rrezikut dhe asistencën teknike. Një fokus i veçantë do t’i jepet projekteve strategjike të infrastrukturës që nxisin lidhjen rajonale dhe integrimin e ardhshëm në BE.
Në fqinjësinë e Evropës, prioritetet do të jenë stabiliteti ekonomik, energjia e pastër, siguria energjetike dhe transporti i qëndrueshëm, ndërsa në nivel global, BEI do të mbështesë projekte në fushat e shëndetësisë, arsimit, zinxhirëve të furnizimit dhe fuqizimit të grave.
Nga viti 2025 deri në 2027, BEI do të ofrojë deri në 10 miliardë euro në vit në financime, duke përfshirë asistencën teknike për përshpejtimin e projekteve dhe rritjen e pronësisë lokale. Në bashkëpunim me bankat e zhvillimit dhe partnerët e BE-së, procedurat e financimit do të thjeshtohen për të përshpejtuar investimet në projektet kryesore.
Një tjetër prioritet është forcimi i zinxhirëve të furnizimit dhe sigurimi i lëndëve të para kritike, përmes mbështetjes së eksportuesve evropianë dhe diversifikimit të burimeve të furnizimit. BEI po zhvillon një nismë gjithëevropiane për tregtinë dhe investimet, që do të ofrojë garanci dhe financim për kompanitë evropiane që operojnë jashtë BE-së.
Në Ukrainë, BEI ka dhënë deri më tani 4 miliardë euro për rindërtimin e infrastrukturës dhe shërbimeve kritike, duke premtuar rritje të mëtejshme të mbështetjes për rimëkëmbjen dhe integrimin e vendit në BE.
Presidentja e grupit të BEI-së, Nadia Calvinjo, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe gjetjes së zgjidhjeve që sjellin përfitime për të dyja palët. Ajo konfirmoi se BEI Globale do të vazhdojë zbatimin e strategjisë “Global Gateway”, duke avancuar objektivat klimatike dhe qëndrueshmërinë mjedisore të Bashkimit Evropian.(PressOnline.al)